Përdorimi I Shifrave Dhe Statistikave



Leksioni x. Përdorimi i shifrave dhe statistikave. I. HYRJE. Proporcioni. Vlera në përqindje dhe ato mesatare. Për kronikat ka dy mundësi. Plotshmëria si problem. Rreziqet dhe probabilitetet. Përkthimi i statistikave në infografika. Referenca.
Cilado qoftë tema ose zhanri i zgjedhur, shpesh e më shpesh del nevoja për të përdorur shifrat për të pasuruar ose qartësuar aspekte të ndryshme të ngjarjes për të cilën po raportohet. Megjithatë përzierja e fjalëve me numrat ndonjëherë ngjan me përzierjen e vajit me ujin. Reporterët ndeshin vështirësi për të shkrirë të dyja konceptet e për të shmangur konfuzionin që rrezikon lajmin. Ndërkohë që shtetarët ose politikanët kërkojnë me çdo kusht të manipulojnë opinionin publik nëpërmjet lojës me shifrat.
Pavarësisht problemeve që lindin, diskutimi për përdorimin e numrave nuk duhet të çojë në shmangien e tyre, por në shtimin e kujdesit kur përdoren, për t’i shpjeguar dhe për të rritur përmes tyre nivelin e saktësisë. Të siguruarit e një sërë shifrash që dëshmojnë që kanë veshjen e faktit të duhur dhe përdorimi i tyre me mençuri do të ndihmojë që përmbajtjet e lajmeve të kenë ndikim më të madh. Studimet në çdo fushë kanë nevojë për shifra, qoftë si shembuj domethënës, e po ashtu edhe si instrumente matëse ndërkohë që përgatiten grafikë, statistika të ndryshme në funksion të një çështjeje në observim. Media, reporterët apo redaktorët përgjegjës duke përvetësuar e aplikuar një metodë të këtillë, gjejnë te shifrat në lidhje me një situatë të caktuar “aleatin” e tyre të natyrshëm për të qenë bindës për audiencën e njëkohësisht të mbrojtur kur diskutohet publikisht vërtetësia e shkrimi të tyre.
Të dhënat vijnë nga burime të ndryshme si shtetërore, private, nga organizatat e shoqërisë civile, etj.
Gazetarët e pavëmendshëm ose të pakujdesshëm mund të nxjerrin përfundime të gabuara nëse nuk tregojnë të njëjtin interes për njërën prej fazave që kanë të bëjnë me të dhënat e që janë: mbledhja, përpunimi dhe analiza e tyre. E thënë ndryshe, çfarë numërojmë, si e numërojmë dhe si e lexojmë numrin. Një gabim i vogël në njërën nga tre etapat çon në përshkrime e përfundime të gabuara.
Mund të ndodhë, edhe pse nuk është e rekomandueshme, që gazetari të përdorë të dhënat që janë mbledhur dhe përpunuar nga një strukturë tjetër jashtë profesionit të gazetarisë dhe reporteri bën vetëm analizën e tyre. Në këtë rast, gazetari duhet të jetë transparent me audiencën duke i treguar me një paragraf strukturën që ka zhvilluar për mbledhjen dhe përpunimin e këtyre të dhënave. Audienca më pas gjykon mbi bazën e besueshmërisë ndaj kësaj strukture.